Juventus vendos rekordin me 6 tituj kampion, por tani mbetet Championsi

Trofeu i dytë u fitua dhe tani ka mbetur vetëm një, ai më i ëndërruari. Juventusi u shpall kampion i Italisë një javë përpara përfundimit pas fitores 3-0 ndaj Krotones në Torino. Golat e shënuar nga Manxhukiç, Dibala dhe Aleks Sandro e ngjitën në kuotën e 88 pikëve, 4 më shumë sesa Roma ndërsa në lojë mbeten vetëm 3 pikë. Ky ishte titulli i gjashtë radhazi për skuadrën piemonteze, një rekord edhe për standardet tepër të larta të saj. Në vitet 1930-1935, Juvja e saj kohe doli 5 herë kampion radhazi.

Në një sezon të mrekullueshëm, të besuarit e trajnerit Alegri kanë edhe një detyrë, në mënyrë që të hyjnë përfundimsht në histori, si skuadra torineze më e mirë e të gjitha kohëve. Në stadiumin e Kardifit duhet të mundin Realin në 3 qershor në finalen e Ligës së Kampionëve. Nuk do të jetë e lehtë përballë Kristiano Ronaldos e të tjerëve, por nëse nuk ia del ky ekip, askush nuk i del. Ky ishte titulli i 34-ët në histori për bardhezinjtë, ndonëse klubi dhe tifozët pretendojnë fort se kanë fituar 36, bashkë me ata që Federata ia hoqi pas skandalit të “kalçoplit” në 2006.

“Jemi në historinë e futbollit”, – u shpreh kapiteni Bufon pas takimit, ndërsa lavdërime të mëdha janë për trajnerin Alegri, “konkret, gjenial dhe i durueshëm”, sipas epiteteve që i vendos media.Vlerësim i lartë për lojtarë të jashtëzakonshëm si Bufon, Kielini, Bonuçi, Barxali në mbrojtje, Pjaniç e Kuadrado në mesfushë, dhe Higuain e Dibala në sulm, por njeriu-plus ka qenë Mario Manxhukiç që ka luajtur aty ku ka pasur nevojë skuadra.

Sfidanti.al