Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s na hapi këto ditë në Tiranë dyert e “parajsës”, ku kokat – jo të nxehta, por diplomate – të lojës më popullore të kontinentit na mësuan si të luajmë me fëmijët, na treguan se jemi në rrugën e duhur dhe gjithashtu na mbushën me krenari, sepse i mblodhëm bashkë e i ulëm në tryezën ku gatuhen fatet e futbollit tonë në ditët kur nuk na vizitojnë njerëz të rëndësishëm.
Ceferin, me siguri, është ndier si në shtëpinë e tij, pasi Shqipëria dhe shqipfolësit për të janë “sponsorët” kryesorë të çdo reforme që ndërmerr, paçka se shpesh shkel edhe parimet demokratike në institucionin që drejton.
Me siguri, Ceferin bashkë me Al-Khelaifin, tashmë tifoz i flaktë i Vllaznisë, dhe tejet popullor te shitesat e fruta zarzavateve, nuk e dinë se futbolli në vendin tonë prej vitesh nuk është aspak rentabël, as në financa e as në shkallë. Treguesit e lojës në vendin tonë çdo vit bien me shpejtësi të frikshme, edhe pse në tryezën e gostisë së madhe dollitë janë shtuar – gjithmonë në nder të futbollit.
Figo tribloi disa fëmijë, ndërsa Ceferin dribloi “burrat e futbollit”, me klasin e një diplomati e me këmbët e një sportisti. Tamam tamam u tregua më pak i zgjuar në fushë dhe më shumë jashtë saj. Si përherë, shefi i UEFA-s u kujdes të mbështeste pa kushte drejtuesit e FSHF-së, edhe pse me siguri ka humbur llogarinë e viteve të tyre në krye të institucionit.
Më pas, bashkë me zëvendësit e tij, u fokusua te ndryshimet e mëdha në letrat e futbollit europian me një pasion që ia ka zili kushdo. Dashuri pa kushte në Tiranë – dhe për këtë nuk kishte dyshim askush. Por detaji që e bën këtë histori të trishtë është se kjo lumturi mes “kokave të nxehta” është kurorëzuar në një nga vendet më të dobëta të lëvizjes futbollistike të kontinentit, dhe për këtë flasin shifrat, jo analizat e njerëzve në kafen e mëngjesit.
Nga Pirro Bardhyli