Përse tifozët kuksianë nuk ndjejnë faj, ashtu si korçarët pesë vjet më parë?

Do të duhet shumë më tepër zhvillim që dikush të mos marrë diçka që nuk i takon, ndonëse i ka mundësitë për ta marrë. Kjo aksiomë që nuk bën me faj asnjë popull, asnjë qytet apo fshat në botë, m’u kujtua kur pashë reagimet e njerëzve të ndryshëm në rrjetet sociale pas fitores së titullit kampion nga Kukësi. Përkundër gjykimit skandaloz të Enea Jorgjit (që është më pak fajtor se të tjerë për atë që bëri), thuajse çdo tifoz kuksian, apo gjeografikisht afër me Kukësin, festonte. Tropojanë, prizrenas apo mjaft të tjerë. Arsye ishte e lehtë që të gjeje, ndërsa akuzave të kundërshtarëve i vinin përballë vetëm një fjali: E keni bërë vetë më përpara. Tifozët korçarë, por edhe ata të Partizanit dhe shumë të tjerë, në kulm të dëshpërimit, nuk linin gjë pa thënë për kampionatin, Gjicin dhe federatën.

Një dasi, për fat thjesht futbollistike, por që ka një spjegim si gjithçka tjetër në këtë botë. Spjegimi është i thjeshtë dhe e tregon ajo që mendon shumica. Kur ajo dëshiron kështu, kështu do të bëjë edhe “komandanti”. Nëse kuksianët do ta refuzonin një titull të tillë, Gjici nuk do ta merrte, nëse korçarët do ta refuzonin një titull si ai i 2011-ës, Zeqo apo Takaj nuk do t’i zgjasnin duart, nëse tifozët e tyre do të kishin refuzuar, as Tirana, Partizani, Dinamo apo Vllaznia nuk do të merrnin asnjë titull të dyshimtë.

Në folklorin e çdo pale tifozerie ka shprehje monumentale, nga ato të Partizanit të Ministrisë së Mbrojtjes, Dinamos së Ministrisë së Brendshme, të Tiranës së favorizuar apo Vllaznisë së favorizuar.

Kjo, natyrisht nuk është diçka ekskluzivisht shqiptare. Jo vetëm tifozët, por edhe klubi i Juventusit është i patundur se titujt në 2005 e 2006 janë të atyre, pavarësisht se zëri i Moxhit në përgjime (pa figurë) është aq shumë bindës.

Duke kaluar tek historia, mjaftojnë dy shembuj. Kur Cari i Rusisë dërgonte ushtrinë për të pushtuar një vend, ai nuk gjente kundërshtim nga shumica e rusëve të thjeshtë dhe nuk kishte një opinion publik kundër. Ndryshe ndodhi kur Norvegjia shpalli pavarësinë nga Suedia, këtu e 100 e ca vjet më parë. Në momentin kur elita suedeze u bë gati të dërgonte ushtrinë, populli suedez i doli në krah norvegjezëve dhe gjithçka përfundoi. Ky shembull nuk do të thotë se rusët janë të këqinj dhe suedezët të mirë, por siç thotë shprehja popullore, “sipas vendit, edhe kuvendi”.

Sfidanti.al