Pavarësisht skandaleve, Kukësi është një kampion i merituar i Shqipërisë!

Përfundoi ashtu siç pritej. U desh të kalonin 6 vjet që shqiptarët të provonin sërish një mënyrë të tillë të fitores së titullit kampion. Në 2011, Flamurtari humbi në mënyrë dramatike dhe për të ardhur keq ndaj Skënderbeut, këtë herë ishte vetë Skënderbeu që provoi të njëjtën ndjenjë në garën ndaj Kukësit.

Thënë kjo, kuksianët janë kampionë po aq të denjë të Shqipërisë sa edhe Dinamo e 1967-ës apo 1977-ës, sa Partizani i Ministrisë së Mbrojtjes, sa Tirana heroike me Partinë Demokratike, siç thërrisnin tifozët bardheblu në vitet 90-të, apo sa Skënderbeu i viteve të fundit.

Në pamundësi për të hetuar prapaskenat, mbetemi tek gabimet njerëzore dhe Enea Jorgji bëri gabime gati mbinjerëzore, duke dëmtuar rëndë korçarët. Fillimisht, një karton i kuq besohet i drejtë për Micin e miqve, që në minutën e 11-të, një plus i madh për Kukësin, por që nuk e bëri Skënderbeun të hiqtë dorë kaq lehtë nga titulli. Në nisje të pjesës së dytë, Jorgji akordoi një penallti të dyshimtë për vendasit, fituar nga Emini, dhe i zakonshmi Pejiç nuk gaboi. Sulmuesi kroat mposhti Shehin dhe kaloi ekipin në epërsi.

Gjithsesi, kulmi arriti në minutën e 56-të kur korçarët pretenduan për penallti, dhe pretendimi u duk i drejtë. Jorgji nuk e dha këtë herë 11-metërshin, dhe nervozmi i skuadrës mike kaloi çdo limit. Kampionët rrethuan dhe sulmuan arbitrin, duke e akuzuar për padrejtësi. Nga protestat jashtë çdo norme e pësoi Osmani që mori karton të kuq, ndërsa shpëtoi Salihi edhe pse sulmuesi shkodran grisi në mënyrë demontrative kartonin e kuq të Jorgjit. Mesa duket arbitri nuk pati të kuq të dytë, por Salihi vështirë të shpëtojë nga dënimi i Komisionit të Disiplinës. Nervozizëm edhe për trajnerin Daja i cili pati një debat edhe me policinë.

Skënderbeu, gjithsesi, e tregoi veten se është 6 herë radhazi kampion, duke u përpjekur të merrte të paktën barazimin, edhe pse ishte me dy lojtarë më pak në fushë. Krijoi rreziqe në portën kuksiane, ndërsa Jorgji vendosi të mos jepte më penallti tjetër, edhe atëherë kur vendasit e meritonin.

Kukësi e fitoi titullin e parë në histori, një triumf që as nuk mund të mendohej disa vjet më parë kur ekipi ishte një kategori më poshtë. Pas sukseseve të mëdha në Europë, pas Kupës dhe Superkupës së Shqipërisë, erdhi edhe titulli. Nuk do të ishte e drejtë ta uronim më pak sesa kampionët e tjerë.

Sfidanti.al