Andy Carroll zbulon detaje të veçanta për Wayne Rooney gjatë grumbullimeve me Anglinë

Ish-futbollisti i Anglisë, Andy Carroll, ka zbuluar detaje të veçanta për mënyrën se si Wayne Rooney e kalonte kohën e lirë gjatë grumbullimeve të kombëtares nën drejtimin e Fabio Capellos. Në autobiografinë e tij, Carroll tregon se e kishte gjetur disa herë Rooney-n të shtrirë në dhomën e hotelit, duke konsumuar alkool dhe duhan ndërsa shikonte televizor. “Kur ishim në grumbullim nën urdhrat e Fabio Capellos, e gjeja të shtrirë në dhomë teksa pinte duhan dhe alkool duke parë televizor. Ishte i rrethuar nga paketa cigaresh, kuti birrash dhe shishe vere, të cilat i dorëzoheshin në dhomë nga drejtori i hotelit”, shkruan Carroll.

Sipas ish-sulmuesit anglez, kjo ishte mënyra e Rooney-t për të kaluar kohën e lirë dhe për të thyer monotoninë gjatë grumbullimeve të kombëtares. Rooney ishte një prej figurave kryesore të Anglisë gjatë asaj periudhe dhe, nën drejtimin e Capellos, përfaqësoi kombëtaren në disa turne dhe ndeshje ndërkombëtare.