Kukësi ia doli të mbante vendin e parë në Superligën shqiptare edhe pas javës së 36-të. Skuadra veriore mundi 3-1 Korabin në takimin e luajtur në “Elbasan Arena” dhe u ngjit në kuotën e 72 pikëve. Gjithsesi, fitorja ndaj ekipit të vendit të fundit në renditje doli shumë më e vështirë sesa pritej.
Dibranët kaluan të parët në avantazh me një gol të bukur të shënuar nga Kaloshi që në minutën e 7-të. U desh një paraqitje e nivelit të lartë nga sulmuesi kroat, Pero Pejiç, që rezultati të përmbysej. Golshënuesi kryesor i Superligës realizoi tri herë, fillimisht duke barazuar në pjesën e parë, dhe duke i dhënë Kukësit fitoren pas pushimit. Skuadra e trajnerit Ernest Gjoka është tani dy fitore larg titullit kampion të parë në historinë e saj.
Në orën 16:00, u luajtën edhe dy ndeshje të tjera. Laçi hodhi një hap drejt mbijetesës duke mundur 3-0 Vllazninë, ndërsa Teuta shmangu humbjen në Gjirokastër, duke barazuar në minutën e fundit shtesë ndaj Luftëtarit. Kurbinasit shënuan me anë të Vucajt me penallti, Qaqit dhe Mensahut, ndërsa për Luftëtarin realizoi Behar Ramadanin me penallti dhe për Teutën barazoi Faizal.
Sfidanti.al