Ma shkruani emrin! Edhe unë  dua t’i bëj gol  Serbisë..

Edhe gola imagjinarë po i shënojmë Serbisë edhe pse ndeshja me ta do të luhet në muajin qershor. Të gjithë duan t’i bëjnë gol Serbisë, ata që luajnë edhe ata që nuk luajnë. Madje edhe ata që nuk mbahet mend sa vite kanë që i kanë varur këpucët në gozhdë. Këto ditë, në një intervistë, trajneri i Shpresave, Alban Bushi ka lëshuar një frazë “patriotike”, tejet  e denjë për përrallën tonë kuqezi të futbollit..

“ Nëse do të isha në fushë atë ditë me Serbinë, jam 100% i sigurt se do t’i shënoja gol”-  deklaron Bushi, trajneri i Shpresave, që zakonisht na kanë lënë pa shpresë me ekipin qe drejton! Dhe deri sa Bushi shënon me 1 milion per qind, madje duke qënë trajner “fëmijësh”, imagjinoni se çfarë goli do t’i bënte Serbise presidenti Duka, nëse edhe si do të luante në sulm si “bomber” i lindur…

…Të gjithë duam t’i bëjmë gol Serbisë, pale sikur të shënonim edhe  në Beograd, mos ta kishim më zili Sokol Kushtën e përjetësuar me kohë, tamam  në lëmshin  ku bashkohet futbolli me politikën. Të gjithë duam t’i bëjmë gol Serbisë në qershor ,  ky është një lloj “patriotizmi pa top”, tjetër punë sa del ndeshja në të vërtetë. Më kollaj qënka t’i bësh gol imagjinar Serbisë se sa të gjesh një biletë te llojit “telebingo”  për të hyrë në stadiumin , që ka marrë pagëzimin e fundit :  “Arena e biletave” te munguara !

Sfidanti.al