“Karuseli” i futbollit në lëvizje, Murinjo gati 100 milionë stërlina

Zhoze Murinjo do të bëjë lëvizjen tjetër në “karuselin” e futbollit, që vazhdon të bëhet gjithnjë e më i çmendur. Trajneri i Mançester Junajtidit është gati të nxjerrë nga xhepi shumën fantastike të radhës, dhe të bëjë një transferim të ri të jashtëzakonshëm. Portugezi besohet se mund të japë 100 milionë stërlina (gati 120 milionë euro) për kartonin e sulmuesit Romelu Lukaku. Ish-lojtari i Çelsit shkëlqeu këtë sezon tek Evertoni, dhe klubi liverpulas kërkon pikërisht këtë shifër për ta lënë të lirë.

Gjithsesi, Junajtid do të bëjë “pazar” me drejtuesit e Evertonit, por edhe do të përpiqet të ulë kostot duke ofruar Uejn Runin si pjesë e marrëveshjes. Murinjo e vlerëson kartonin e sulmuesit në 17 milionë stërlina, ndërsa Evertoni besohet se nuk jep më shumë se 10 milionë, dhe po ashtu ka bërë të qartë se Runi do të mund të fitojë maksimumi 150 mijë stërlina në javë, jo 250 mijë siç bën në “Old Traford”. Vetë sulmuesi ka dëshirë që të rikthehet në ish-klubin e tij, por ekziston mundësia që të fitojë shumë më tepër para duke shkuar në Kinë apo SHBA.

Sfidanti.al