Në stadiume shtohen “tifozët”

Në prag të zgjedhjeve të përgjithshme, stadiumet shqiptare, nga Superiorja e deri tek nivelet më të ulëta, kanë zgjuar një interes të madh. Kthesa vjen nga një “tifozeri” e re që shfaqet si për mrekulli çdo katër vjet.

Ata që më parë nuk shfaqeshin as për derbi, tani janë ulur në tribunat e stadiumeve periferike, në qytete që dikur i kujtonin vetëm në fushatat e mëparshme. Kudo ku mblidhen më shumë se dhjetë persona, “rrjedh” menjëherë një i interesuar nga elita politike, që për një çast bëhet tifoz, ekspert futbolli, dhe mik i madh i lojtarëve, trajnerëve, e madje edhe i kujdestarit të fushës.

Kjo prani nuk është tjetër veçse një teatër i vjetër, me aktorë të njohur, por me skenografi të përditësuar. Klube që për pjesën më të madhe të vitit janë të harruara, të lëna në mëshirë të fatit, dhe që funksionojnë falë mundit personal të presidentëve, bizneseve vendore dhe dashurisë për sportin, papritur përqafohen nga figura që deri dje nuk pranonin as të dëgjonin për hallet e tyre.

Nuk është rastësi që shumica e klubeve janë ende nën varësinë direkte ose indirekte të pushteteve lokale, duke u përdorur si monedhë politike në kohë zgjedhjesh dhe të braktisura menjëherë pas rezultatit elektoral. Nuk ka politika afatgjata, nuk ka investime strukturore, nuk ka reforma për të forcuar sistemin sportiv, ka vetëm lëmosha, ndonjë premtim për stadium “të ri” ose “rikonstruksion”, që më shumë duket si përsëritje  premtimesh të vjetra.

Në tribunat e ndeshjeve, sheh fytyra që të përshëndesin me përulje të sforcuar, që takojnë lojtarë dhe trajnerë si të ishin pjesë e një projekti të përbashkët për ringritjen e sportit. Presidentët e klubeve, që me vite kanë hedhur para nga xhepi, ndihen në siklet para këtij entuziazmi të papritur dhe, shpesh, hipokrit. Sepse askush nuk i ka pyetur më parë se çfarë i nevojitet klubit, çfarë duhet ndryshuar, apo si mund të ndihmohen për të ndërtuar një sistem të qëndrueshëm sportiv.

Ligji i sponsorizimeve, i mbetur që nga viti 1994, është bërë ndërkohë si një personazh tragjik i një telenovele pa fund. Premtohet në çdo fushatë, por asnjëherë nuk miratohet apo përditësohet. Futbolli shqiptar s’pret më të jetë si në Gjermani apo Angli, kërkesa e vetme është që të arrijë së paku standardet e Kosovës. Por edhe kjo mbetet një ëndërr që përsëritet çdo katër vjet, për t’u harruar menjëherë pas mbylljes së kutive të votimit.

Në një vend të vogël e të varfër, shpresa vdes e fundit. Por gjithsesi, është legjitime të shtrohet pyetja: deri kur? Sepse nëse kjo farsë vazhdon, një ditë jo shumë larg, tribunat e këtyre stadiumeve do të jenë bosh. Fushat do të jenë të rrënuara. Klubeve do t’u ketë humbur zëri dhe komuniteti nuk do ketë më as nerv, as vullnet, për të dëgjuar edhe një herë tjetër të njëjtën gënjeshtër të recituar me zell fushate. Dhe atëherë, politika do të kuptojë, por si gjithmonë, shumë vonë, se stadiumet nuk janë për fushata, por për respekt, investim dhe vazhdimësi.

sfidanti.al