Ylli i Premier League ndalet në rrugë dhe kërcënohet me armë zjarri

Një yll i Premier League është kërcënuar me armë zjarri në rrugë, gjatë një incidenti tronditës ndodhur në Londër mbrëmjen e 6 shtatorit, rreth orës 23:14. Sipas raportimeve britanike, futbollisti, i vlerësuar me 60 milionë paund, po ecte me një mik kur u përball me një person të armatosur. Policia konfirmoi se një agjent futbolli 31-vjeçar, i cili përfaqëson edhe një lojtar të kombëtares së Anglisë, është arrestuar nën dyshimin se ka treguar armën me qëllim për të shkaktuar frikë dhe dhunë. Ai dyshohet gjithashtu për shantazh dhe kërcënime ndaj mikut të futbollistit.

Futbollisti dhe shoku i tij shpëtuan pa lëndime, ndërsa policia ndërhyri menjëherë dhe dy ditë më vonë bastisi shtëpinë luksoze prej 2 milionë paundësh të agjentit në Hertfordshire. Sipas burimeve të “The Sun”, incidenti ka shokuar botën e futbollit britanik, duke ngritur pyetje serioze mbi marrëdhëniet mes disa lojtarëve dhe agjentëve të tyre. Një burim afër lojtarit tha: “Kjo ishte një ngjarje e frikshme. Ai u trondit thellë, por bëri gjënë e duhur duke njoftuar menjëherë policinë. Klubi dhe miqtë e tij po e mbështesin që kjo të mos ndikojë në performancën e tij.”

Agjenti është liruar me kusht, me ndalimin për të kontaktuar futbollistin apo për t’u afruar në qendrën stërvitore të klubit. Gjithashtu, atij iu ndalua udhëtimi jashtë vendit, derisa një gjykatës i Magjistrates’ Court miratoi ndryshimin e përkohshëm të kushtëzimit për një udhëtim të paracaktuar. Policia Metropolitane e Londrës ka konfirmuar se hetimet vijojnë, ndërsa identiteti i futbollistit nuk është bërë publik për arsye ligjore.

Sfidanti.al