Klopp mbetet thjesht një ëndërr për tifozët e Real Madridit

Ka zgjatur shumë pak, madje tepër pak, entuziazmi i atyre tifozëve të Real Madridit që kishin filluar të ëndërronin Jurgen Klopp-in në pankinën e ‘Santiago Bernabéut’. Pas eliminimit të dhimbshëm në Ligën e Kampionëve dhe spekulimeve për një largim të mundshëm të Carlo Ancelotti-t, mediet filluan të përflitnin emra për zëvendësimin e tij. Mes tyre, edhe ai i trajnerit gjerman, i cili sipas UOL Esporte do të ishte i gatshëm të merrte në konsideratë një ofertë nga Real Madridi ose nga Kombëtarja e Brazilit. Megjithatë, një detaj i rëndësishëm hedh dritë mbi këtë situatë. Marc Kosicke, menaxher i Klopp-it, ka reaguar për të qartësuar se ish-trajneri i Liverpool-it nuk ka ndërmend të rikthehet në pankinë sezonin e ardhshëm. “E kuptoj që ka pasur interes nga klubet më të mëdha të Evropës apo nga disa federata për Klopp-in. Megjithatë, ai nuk ka asnjë qëllim të marrë një post si trajner kryesor sezonin tjetër. As te Real Madridi, as te kombëtarja e Brazilit”, deklaroi Kosicke për Sky Germany. Sipas mediave gjermane, kompania Red Bull, ku Klopp aktualisht mban rolin e drejtorit global sportiv, nuk është aspak e kënaqur me spekulimet e vazhdueshme dhe menaxheri i tij ka qenë i prerë për ta mbyllur çdo diskutim. “Jurgen është i lumtur në rolin që ka aktualisht te Red Bull-i dhe ka një kontratë aktive. Nuk ka asgjë më tepër për të shtuar”, përfundoi ai. Pra, për momentin, ëndrra e bardhezinjve për Klopp-in mbetet e largët.

sfidanti.al