Është një tjetër Arsenal, Venger shpreson ende për Championsin

Disa javë më parë thuajse gjithçka shkonte keq. Arsenali u eleminua nga Liga e Kampionëve, pas dërrmimit që pati nga Bajerni, ndërsa zbriti poshtë e më poshtë në Premier Ligë. Qindra tifozë nisën lëvizjen e protestës “Venger ik”, ndërsa trajneri francez u duk në prag të rrënimit nervor. Megjithatë, Arsen Venger u tregua sërish një “dhelpër e vjetër” dhe skuadra e tij e mori veten në kohë, të paktën për të synuar një objektiv të madh.

Titulli nuk mund të fitohet, por pas suksesit të sotëm 2-0 në fushën e Sauthemptonit, shanset ekzistojnë që të arrihet kualifikimi për në Ligën e Kampionëve. Aleksis Sançez dhe Olivie Zhiru shënuan golat, me dy shqiptarët në fushë, atë të Gjermanisë, Shkodran Mustafi, dhe atë të Zvicrës, Granit Xhaka. Me këtë sukses, Arsenali ka 66 pikë, një më shumë se Mançester Junajtid, 3 më pak se Mançester Siti dhe 4 më pak se Liverpuli. Gjithsesi, Liverpuli ka luajtur një ndeshje më shumë dhe ekziston mundësia që londinezët të afrohen në 1 pikë largësi dhe të kenë ende shpresa kur mbeten 2-3 javë deri në përfundim.

Sezoni i Vengerit është kthyer për mbarë, edhe sepse është arritur finalja e Kupës së Anglisë, ku në “Uembli” do të luhet një derbi i Londrës, ndaj Çelsit që është pothuajse kampion.

Sfidanti.al