Reali paguan 45 milionë euro për një futbollist brazilian 16-vjeçar!

Vinikius Junior është një futbollist mrekulli brazialian, ndërkohë që Reali arriti që të sigurojë shërbimet e tij. Brenda më pak se 24 orësh, klubi “mbretëror”, në fakt, shpenzoi 70 milionë euro vetëm për dy lojtarë të rinj brazilianë. Fillimisht, u konfirmua se Reali fitoi “betejën” për mbrojtësin e shkëlqyer, Teo Ernandes, që, gjithashtu, ishte në shenjëstër të Barcelonës dhe të Atletikos së Madridit. Pak orë më vonë, nga Brazili erdhi lajmi se tinejxheri Vinikius Junior është lojtar i ri i “klubit mbretëror”. Lajmin në fjalë e konfirmoi edhe gazeta “Marka” që në faqen e saj të parë. Futbollisti i ri brazilian ka lindur më 2000, kurse te Reali ai do të vijë gjatë kësaj vere.

Sipas rregullave në fuqi, një futbollist i huaj nuk mund të debutojë në ekipin e të rriturve pa mbushur 18 vjeç. Kështu që, rreth një viti, Juniori do të qëndojë që të luajë te Flamengo. Ky do të jetë viti i parë në një ekip të rriturish për Juniorin, për të cilin thonë se do të bëhet Nejmari i ri. Juniori shkëlqeu, para disa muajsh, në kampionatin e Amerikës së Jugut për lojtarët nën 17 vjeç, të cilin e fitoi Brazili, ndërsa ai (Juniori) u shpall si lojtari i mirë dhe golashënuesi më efikas i turneut me shtatë gola.

Sfidanti.al