Në ndeshjen e fundit europiane në të famshmin “Visente Kalderon”, Atletiko nderoi veten, stadiumin dhe publikun e saj. Edhe pse fitorja 2-1 nuk i shërbeu për kualifikim, sërish tregoi se karakteri i djemve të trajnerit Diego Pablo Simeone është i jashtëzakonshëm. Përballë një Reali shumë superior, që kishte në fushë aq shumë talent sa nuk mund ta ketë asnjë skuadër në botë, ekipi i “punëtorëve” të Madridit ishte shumë trim.
Në minutën e 15-të kryesoi 2-0 dhe i duhej edhe vetëm një gol për ta dërguar në shtesë gjysmëfinalen e Championsit. Nuk ia dolën, dhe ishte krejt normale, pasi Reali ishte e pamundur të mos shënonte të paktën një gol. E bëri me anë të Iskos, falë klasit të lartë të Karim Benzemasë, ndërsa Kristiano Ronaldo nuk e humbi rastin që të tregonte edhe një herë mendjemadhësinë e tij, duke i bërë me shenjë dhjetëra mijë tifozëve që të heshtnin. E habitshme sesi nuk mund të fitojë sado pak thjeshtësi ky futbollist.
Do të jetë, pra, Real-Juventus finalja e Ligës së Kampionëve që do të zhvillohet në stadiumin “Milenium” të Kardifit, në Uells. Atletiko e mbylli me zemër, ndërsa që nga edicioni i ardhshëm do të luajë në Spanjë dhe në Europë në stadiumin e saj të ri, shumë më modern, edhe pse tifozët do t’i marrë malli për “Visente Kalderonin”.
Pritet të shihet se çdo të bëjë trajneri Simeone, apo lojtarë si Grizman apo Saul (të dy shënues sonte). Gjithsesi, duket se trajneri argjentinas do të vazhdojë. Ashtu siç besohet edhe Zidan tek Reali, që do të synojë të fitojë Championsin e 12-të në histori, në 15 finale të luajtura.
Sfidanti.al