Çelsi fiton thellë, i afrohet titullit, zbret Midëllsbroun nga kategoria

“Suksesi i njërit do të thotë vdekja e tjetrit”. Kështu thotë një fjalë e urtë suedeze, dhe kjo gjë mund të kujtohet në përfundim të përballjes Çelsi-Midëllsbrou në Premier Ligë. Blutë e Londrës fituan 3-0 dhe u shkëputën në 7 pikë diferencë nga Totenhemi i vendit të dytë, pra fare pranë titullit kur duhen edhe 3 ndeshje për të luajtur. Në anën tjetër, Midëllsbrou, pas kësaj humbjeje, zbriti matematikisht në kategorinë e dytë.

Diego Kosta shëoi golin e parë në minutën e 23-të, pastaj Markos Alonso bëri 2-0 në 34’ dhe Nemanja Matiç vulosi rezultatin kur kishin kaluar 65 minuta lojë. Skuadra e Antonio Kontes është praktikisht kampione, për herë të dytë në 3 vitet e fundit në Angli, duke pasur 84 pikë nga 77 të Totenhemit. Tifozët patën mundësi të brohorisnin edhe për kapitenin Xhon Terri, që luajti vetëm 5 minuta në fund, dhe që sezonin tjetër do të largohet.

Sfidanti.al