Stadiumi “Kamp Nou” pati një tjetër pasditë argëtuese futbolli dhe rreth 100 000 tifozë ndoqën spektaklin e radhës të MSN-së. Vijarreali i fortë u mund 4-1 në ndeshjen e javës së 34-ët të ligës spanjolle dhe treshja sulmuese MSN arriti në mbi 100 gola për të tretin edicion radhazi, por publiku priste lajme për diçka tjetër. A do të rinovojë kontratën Lionel Mesi?
Autori i dy golave ndaj Vijarrealit nuk ka firmosur ende, edhe pse babai dhe agjenti i tij ka nisur bisedimet me klubin. Siç ndodh shpesh me mediat që duan të japin ndonjë lajm edhe kur nuk kanë, spekullimet ishin edhe që Mesi e ka hedhur poshtë ofertën e Barçës, edhe që ai është në prag të nënshkrimit. Zv. presidenti i klubit, Mestre, deklaroi se rinovimi i Leos është në “metrat e fundit” dhe se lajmi i madh do të vijë shpejt.
Ky lajm është edhe gara më e fortë e katalanasve në këtë fund sezoni, ku ende kanë pak shpresë se mund ta mbrojnë titullin, ndërsa me Championsin i kanë larë duart prej ditësh. Kupa e Mbretit, sado trofe, nuk ia mburin tifozëve të mësuar me kupa të mëdha. Nëse Mesi rinovon, ky do të ishte “Championsi” apo “La Liga” për këtë vit.
Në kampionat dy rivalët mbajtën të njëjtin hap. Barça fitoi 4-1 më herët ndaj Vijarrealit, me gol të Nejmarit, dy të Mesit dhe një të Suarezit, ku ra në sy spektakli i brazilianit, që një driblim të rrallë pranë vijës fundore dhe brenda në zonën kundërshtare.
Reali nuk pati probleme më vonë, kur fitoi 4-0 në fushën e Granadës, edhe pse pati shumë rezerva. Trajneri Zidan hodhi sërish në fushë disa rezerva, për t’i ruajtur titullarët për Championsin, por Madridi ishte po i njëjti. Dy herë Hames Rodrigez dhe dy herë Alvaro Morata ishin autorët e golave.
Barcelona kryeson ligën me 84 pikë, po aq sa Reali, por me golaverazh më të mirë. Katalanasit kanë shënuar 108 gola në 36 ndeshje, ndërsa madrilenët kanë një ndeshje më shumë për të luajtur, atë në fushën e Seltës.
Sfidanti.al