Gjatë ditëve të fundit është hapur një debat i madh që lidhet pjesërisht edhe me Klubin e Futbollit Tirana por që lidhje me sportin apo qëllimet për të cilat është krijuar ky klub, nuk ka. Stadiumi “Selman Stermasi” apo siç e njohin shumë, stadiumi “Dinamo”, është vënë në në qëndër të vëmendjes për shkak të “transformimit”. Një debat deri diku edhe publik që identifikon Tiranën qytet modern por jo skuadrën me të njëjtin emër që në krahun tjetër po gjeneron debate por në nivelin e “mjerimit” migjenian. Nëse rreth një dekadë më parë klubi bardheblu u rrëzua nga kategoria edhe për shkak të fatit, sot Tira(o)na rrezikon shumë më shumë.
Disfata e Ballshit në Kupën e Shqipërisë është një sinjal vërtet shumë negativ dhe nëse kjo humbje nuk shkakton dëme sportive, në aspektin psikologjik mund të jetë vendimtare për lojtarët, trajnerin, tifozët, ambjentin dhe gjithë familjen bardheblu. Tirona, e njerëzve që nuk e kanë braktisur asnjë ditë, është sot në pikë të hallit. Këtë hall pjesërisht e ka rritur pak nga pak edhe presidenca aktuale që ndoshta kohë më parë duhej të kishte hequr dorë për të mirën e ngjyrave të kësaj fanelle. Tmerri duket se nuk ka fund për Tironën në një kohë që ” Tirana moderne” do të rritet e zhvillohet edhe në themelet e stadiumit “Selman Stermasi”. Tirona e lojës së topkëmbës mund të ringrihet vetëm nga pasioni i njerëzve që e rrethojnë por në këtë situatë, është vërtetë e vështirë që lavdia e klubit më të titulluar të vendit të rikthehet të shkëlqejë.
Nga Pirro Bardhyli