Lebron i afrohet njërit prej rekordeve të Majkëll Xhordanit

Sapo ka kaluar një mit të madh si Karim Abdyl Xhabarin. Lebron Xhejms është shënuesi i dytë më i mirë i pikëve në plej ofin e NBA-së. Me 39 pikët ndaj Torontos u ngjit në kuotën 5777, ndërsa i duhen edhe më shumë se 200 për të kaluar mitin më të madh, Majkëll Xhordanin. Me siguri mund t’ia dalë në finalen e madhe të NBA-së (ndaj Golden Stejtit?), me përjashtim të ndonjë të papriture të madhe që mund të shkaktojë Bostoni.

Lebron shpesh është vënë në krahasim me Xhordanin, edhe pse askush nuk dëshiron të bëjë një “herezi” të tillë për t’i krahasuar. MJ doli gjashtë herë kampion me Çikago Bullsin si dhe ka arritur vlerësime tepër të larta, ashtu si mesataren e pikëve për ndeshje, që e ka në kuotën 30.1, më të lartën në historinë e basketbollit amerikan. Gjithsesi, Xhejms mund t’i afrohet, ndonëse do t’i duhen të tjerë tituj përveç tre kurorave që ka. Po ashtu, ylli i Klivlendit mund ta kalojë Xhordanin në renditjen e shënuesve më të mirë të fazës së rregullt në NBA, madje mund të synojë edhe rekordin e Xhabarit me 38 387 pikë.

Sfidanti.al