Roi Kin: Vendi i katërt? Turp për Junajtidin dhe Liverpulin!

Kur ai ishte në fushën e lojës, Mançester Junajtid luftonte për të qenë kampion i Anglisë dhe i Europës. Roi Kin ishte “luftëtari” i madh që fitoi gjithçka nën drejtimin e Sër Aleks Fergusonit, dhe sot ai nuk u beson syve që klubi i madh i “Old Trafordit” ka objektiva të tillë. “Kur shoh klube si Mançester Junajtid apo Liverpuli që festojnë për vendin e katërt në Premier Ligë, skandalizohem, – tha ai, – vërtet që më vjen të qaj. A mund të mendohet që ndonjë klub i madh në Europë, të themi Reali apo Barcelona, të gëzohen që po dalin në vend të katërt? Hajde, mos u tallni tani”.

Liverpuli iu afrua kualifikimit për në Champions me fitoren në Uatford, duke qenë në vend të tretë, ndërsa Mançester Junajtid do ta ketë më të vështirë t’ia dalë nga renditja e Premier Ligës, por mund ta realizojë duke fituar Ligën e Europës. Skuadra e Murinjos luan të enjten gjysmëfinalen e parë ndaj Seltës në Spanjë, duke pasur shanset më reale pikërisht në kontinent.

Sfidanti.al