Pushimi nuk i bën punë Vllaznisë, shkodranët ende me mungesa

Vllaznia po vijon përgatitjet për takimin e mesjavës ndaj Egnatias. Një nga shqetësimet kryesore për stafin e kuqeblu në këtë start të sezonit të ri ka qenë pamundësia për t’i pasur në dispozicion të gjithë futbollistët. Kjo për shkak të disa dëmtimeve që ato kanë kaluar dhe si rrjedhojë në çdo ndeshje numri i lojtarëve që kanë mu gur ka qenë i lartë. Megjithatë kjo ndërprerje e kampionatit duket se është shfrytëzuar që ndonjë nga të dëmtuarit të rikthehen. Ka lajme të mira sepse lojtarët e dëmtuar kanë filluar që të rikthehen. I pari që ka zbritur në fushën e lojës e pikërisht në miqësoren ndaj Otrant Olympic të Ulqinit, ka qenë mbrojtësi kosovar Melos Bajrami. Ai u aktivizua në 45 minutat e para të kësaj miqësoreje duke formuar dyshen e qendrës së mbrojtjes së bashku me kroatin Marko Juriç. Kjo gjë të bën që të besosh që mbrojtësi i ardhur këtë verë te Vllaznia do të jetë në dispozicion të trajnerit Brdariç për ndeshjen e së mërkurës ndaj Egnatias. Një rikthim në momentin e duhur. Kjo pasi edhe gjendja e qendrëmbrojtësit tjetër malazezit Milosh Stojanoviç duket pozitive, pas atij problemi me tërheqjen që pësoj në takimin ndaj Skënderbeut. Ai mungoi tërësisht në përballjen miqësore ndaj ulqinakëve dhe kjo të bën që të besosh që ai mund të rrezikojë takimin ndaj Egnatias.

Pavarësisht se pritej që ndërprerja t’i jepte mundësinë disa nga lojtarëve të dëmtuar që të rikuperoheshin plotësisht një gjë e tillë duket se nuk ka ngjarë. Me përjashtim të Ardit Krymit dhe Melos Bajmarit që duket se kanë hedhur tej problemet me dëmtimet, dyshja tjetër Amir Karimanoviç e Ildi Gruda kërkojnë ende kohë për t’u bashkuar me ekipin. Nga sa mësohet kroati po vijon terapinë në vendin e tij dhe do të mungojë edhe për të paktë tre takime të tjera. Sulmuesi Gruda vijon problemet me gjurin dhe mesa mësohet nga fillimi i nëntorit mund të jetë i gatshëm për t’u bashkuar me ekipin. Këtyre dy mungesave të sigurta i shtohet edhe ajo e Kevin Dodës lojtarit të ri, i cili u ndëshkua me kartonin e kuq në përballjen ndaj Skënderbeut. Edhe mesfushori Ardi Deliu me shumë gjasa për këtë takim do të mungojë për këtë sfidë ndaj rrogozhinasve. Ai pësoi një tërheqje muskulare në ndeshjen me Skënderbeun dhe për momentin po vijon terapinë për t’u rikuperuar.

sfidanti.al