Ishte minuta e 92-të dhe e fundit në “Santiago Bernabeu” dhe të gjithë po prisnin vërshëllimën e fundit të gjyqtarit. “El Klasiko” ishte në barazim 2-2 dhe Reali ishte me një dorë në trofeun e kampionatit spanjoll. Papritur, futbollistët vendas e humbën topin pranë zonës së Barcelonës, në krahun e djathtë pranë vijës anësore.
Sergi Roberto, heroi i përmbysjes në Champions ndaj Paris SG, vrapoi gati 60 metra dhe pastaj pasoi në të majtë të sulmit katalanas. Një kombinim dysh dhe pasim në qendër, ku përballë portës u shfaq ai që tifozët madrilenë nuk donin që të ishte aty, Lionel Mesi.
Superylli argjentinas e pati një lojë fëmijësh që të shënonte golin e tretë dhe të fitores, në një moment që mund të vendosë titullin në favor të Barcelonës.
Pavarësisht se Reali krijoi më shumë raste, dhe u duk më i rrezikshëm, “El Klasiko” ishte i pamundur që të parashikohej sesi do të përfundonte. Të dy portierët, Kejlor Navas dhe Ter Shtegen bënë shumë pritje shpëtues dhe yjet në fushë humbën raste.
Ronaldo, Benzema, Kros, Kasemiro për vendasit, Mesi, Rakitiç, Suarez apo Iniesta për miqtë. Reali kaloi në epërsi në minutën e 28-të me Kasemiron, Barça barazoi në 33’ me anë të Lionel Mesit, ndërsa Rakitiç përmbysi gjithçka në 73’. Pesë minuta më vonë, Mesi nxorri me të kuqe kapitenin e Realit, Sergio Ramosin dhe u duk se ndeshja përfundoi aty, por jo.
Zidan bëri një lëvizje prej mjeshtri dhe Hames Rodrigez e shfrytëzoi shansin që iu dha. Barazoi papritur në 86’ dhe pikërisht aty u mendua përsëri se “El Klasiko” u mbyll me kaq dhe se Reali do ta ruante epërsinë tripikëshe me një ndeshje më shumë për të luajtur. Pra, titulli do të vinte më në fund në Madrid. Llogaritë, për fat të keq, nuk ishin bërë me Mesin. Me këtë sukses, Barça doli në vend të parë të renditjes me 75 pikë, ndaj po 75 të Realit. Katalanasit kanë golaverazh më të mirë (94-32 ndaj 84-36), si dhe bilanc më të mirë në ndeshjet direkte (një fitore, një barazim), por Madridi ka gjithnjë një ndeshje më shumë për të luajtur, atë në fushën e Seltës.
Sfidanti.al