Një mossukses nuk do të thotë fund i karrierës. Sokol Cikalleshi ia vërtetoi këtë vetes, por edhe kushdo që dyshonte tek ai. Sulmuesi i kombëtares shqiptare zhvilloi një tjetër ndeshje të madhe në Superligën e Turqisë, ku shënoi gol dhe krijoi një tjetër. Forma shumë e mirë e futbollistit kavajas ndihmoi ekipin e tij, Akhisar, që të përmbyste dizavantazhin fillestar dhe të fitonte thellësisht ndaj Bursasporit me rezultatin 5-1.
I larguar në janar nga një skuadër shumë e fortë si Bashaksehirspori, pretendente për titull, Cikalleshi po tregon gjithë potencialin e tij në një nga ligat më të forta të Europës. Bursaspori kaloi në epërsi që në minutën e 13-të me anë të Pablo Batajës, por vendasit reaguan që në pjesën e parë, duke kthyer shifrat në 4-1. Me këtë sukses, ekipi i Cikalleshit u ngjit në vendin e 14-të të Superligës me 18 ekipe, duke pasur 30 pikë dhe duke qenë më i qetë për mbijetesën.
Sfidanti.al