Lajme nga Zllatani, frikë për Championsin dhe vitin tjetër

Vetëm një dëmtim i Lionel Mesit mund të dëmtonte një skuadër më shumë sesa ky që ndodhi të enjten në mbrëmje. Mançester Junajtid është thuajse i sigurt se Zllatan Ibrahimoviç e ka mbyllur sezonin, veçse priten lajme të “freskëta” nga aksidenti që i ndodhi ndaj Anderlehtit në Ligën e Europës. Mediat britanike shkruajnë se sulmuesi suedez mund të ketë këputje ligamenti, kombinuar me dëmtime në ligamente të tjera dhe në pjesën kartilazhe të gjurit të këmbës së djathtë.

Nëse këto konfirmohen, atëherë koha e riaftësimit do të shkonte nga 6 deri në 9 muaj, dhe në rastin më të keq do të kishte mbyllur jo vetëm sezonin, por edhe vitin 2017. Dy shqetësime të mëdha lindin me këtë perspektivë. Së pari, që Mançester Junajtid i ul jo pak shanset për të shkuar në finalen e Ligës së Europës dhe për ta fituar atë në Suedi muajin e ardhshëm. Shorti gjysmëfinal e vendosi përballë Seltës së Vigos, kundërshtarit ndoshta më të vështirë të mundshëm, ndërsa finalja nëse arrihej do të ishte ndaj Lionit apo Ajaksit.

Pra, skuadra e Murinjos mund të mos e arrinte Championsin, as nëpërmjet kampionatit, dhe as nëpërmjet Europa League-s. Shqetësimi i dytë ka të bëjë me të ardhmen e Ibrahimoviçit në “Old Traford”. Kontrata e tij përfundon në qershor dhe ka interes për të nga liga amerikane. Çfarë do të bëjë klubi anglez dhe çfarë do të bëjë suedezi? Ibra është lojtari më i rëndësishëm i këtij sezoni me 28 gola e 9 asistë në 46 ndeshje, dhe me 88 raste për gol të krijuara. Për momentin, Murinjo mund të mbështetet në sulm tek Markus Rashfordi dhe Uejn Runi.

Sfidanti.al