Do të jetë apo jo njëri nga “tre tenorët” në “El Klasiko”? Barcelona i ka varur të gjitha shpresat tek vendimi që pritet të marrë Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (e njohur në Spanjë me inicialet TAD), i cili fillimisht duhet të pranojë ta marrë çështjen në shqyrtim, dhe pastaj të vendosë nëse pezullimi prej 3 ndeshjesh duhet të qendrojë në fuqi apo jo. Përveç kësaj, ekziston edhe rreziku që TAD-i ta ulë dënimin, p.sh., me një ndeshje dhe sërish Nejmar të mbetet jashtë përballjes me Realin.
Nejmar u ndëshkua me 3 ndeshje pezullim pas kartonit të kuq (dy të verdhë) ndaj Malagës, dhe njërin takim pezullim e shleu ndaj Sociedadit.I mbeten edhe dy ndeshje të tjera. Fillimisht, Barcelona apeloi pa sukses në Komisionin e Apelit, ndërsa nuk e dërgoi çështjen në kohën e duhur në TAD. Pritet që kjo Gjykatë të mblidhet jashtë radhe, tani që katalanasit e bënë apelimin.
Ekziston edhe një skenar tjetër, sipas të cilit TAD mund të mos mblidhet sot (e shtunë) dhe atëherë Barcelona mund ta aktivizonte Nejmarin në “Bernabeu”, përderisa çështja mbetet në shqyrtim. Kjo gjë do të kishte ndikim të madh në përballjen ndaj Realit, që vendos jo pak për titullin kampion.
Sfidanti.al