Ditën e djeshme në ambjentet e Arenës Kombëtare u hodh i famshmi short i finaleve të një sezoni që kulmoi me rezultatet surprizë të suksesit historik të Skënderbeut në Shkodër dhe shkatërrimit që i bëri Tirana skuadrës së parë të klasifikimit. I pranishëm në sallë ishte edhe njeriu që krijoi dhe po bekon përditë formulën e re duke e mbështetur verbërisht vetëm e vetëm sepse nuk dëshiron ta pranojë që dita kur mori vendimin ishte e mallkuar për futbollin shqiptar. Pas boshatisi tërësisht stadiumet, me çmimet e kripura kërkon t’i mbushë për 4 ndeshjet e fundit të sezonit ku një prej të cilave luhet sa për statistikë pasi Skënderbeu është i vetëpërjashtuar nga Europa dhe tre të tjerat kualufikohen automatikisht në garat kontinentale. Por përtej kësaj, ajo që ra në sy gjatë hedhjes së shortit ishte serioziteti gjatë hedhjes së shortit që prodhoi dy çifte të përfolura gjatë ditëve të fundit. Askush nuk mendoi për asnjë moment që ky short do të përplaste Egnatian me Partizanin. Fati apo jo, sot kemi dy çifte që i vinë për shtat FSHF-së sepse vetëm një finale e mundshme Partizani-Vllaznia mund ta shpëtojë nga turpi i dështimit institucionin e shpikësit të formulave.
Nga Pirro Bardhyli