Conte gati për një tjetër aventurë në Premier League

Ndërkohë që fundi i sezonit po afron, ofertat për Antonio Conten vijojnë të shtohen nga dita në ditë. Napoli, Milan dhe Juventus në Itali janë gati të kënaqin dëshirat e trajnerit italian, që së fundi po joshet nga një tjetër aventurë në Premier League. Media britanike bën me dije se Chelsea është gati t’i ofrojë një kontratë joshëse Contes për ta rikthyer në “Stamford Bridge”, aty ku 54-vjeçari punoi në periudhën 2016-2018, duke fituar edhe një titull kampion. Londinezët kanë vendosur të largojnë argjentinasin Pochettino në fund të sezonit, pasi nuk janë të bindur nga puna e tij dhe shohin Conten si të duhurin për të rikthyer skuadrën në nivele të larta. Nga ana tjetër, krahas ofertës joshëse me rreth 10 milionë euro në sezon, trajnerin italian e tërheq jo pak edhe projekti, pasi pronari i Chelsea-t, Todd Boehly është gati t’i ofrojë një çek të bardhë për merkaton, në mënyrë që të ndërtohet një skuadër konkurruese. Tashmë topi është në këmbët e Contes, që do të duhet të llogaritë mes Italisë, ku ka familjen dhe rrethin shoqëror, apo Anglisë, një pjacë vërtetë e lartë e futbollit, ku mund të garojë për objektiva madhorë.

sfidanti.al