Rei Manaj nuk di të ndalet. Sulmuesi kuqezi ka arritur të shënojë dhe në këtë javë të Superligës turke, java e 34-ët, duke i dhënë skuadrës së tij, Sivaspor fitoren 1-0 përballë Koniaspor. Një duel sulmuesish kuqezi, për faktin që në radhët e Koniaspor e nisi nga minuta e parë edhe Sokol Cikalleshi, për tu zëvendësuar në minutën e 60-të nga Sambou. Manaj arriti të realizojë golin e fitores në minutën e 85-të. Pasi ekzekutoi një goditje dënimi, topi u rikthye nga muri mbrojtës dhe në tentativën e dytë gjuajtja e tij ishte e pakapshme për portierin Slovik. Me këtë realizim me vlerën e tri pikëve, Manaj ngjitet në kuotën e 18 golave(ka shënuar dhe 4 gola në Kupë). Vetëm Xheko 20 dhe Ikardi 21 kanë bërë më mirë se ai deri në këtë moment të sezonit. Me këtë fitore, Sivaspor ngjitet në kuotën e 48 pikëve duke mbajtur gjalë ëndrrën evropiane. Nga ana tjetër, Koniaspor humbi për herë të tretë në 4 ndeshjet e fundit dhe mbetet me 36 pikë. Sivaspor do të luajë jashtë kundër Galatasarayt javën e ardhshme në kampionat. Konyaspor do të përballet me Fenerbahçen në shtëpi.