Humbja e Dinamos në betejën për vendin e katërt është një lajm i mirë për Tiranën në një javë ku mori edhe një lajm të keq që pritet të ketë pasoja më afatgjata. Në një kohë që klubi akuzon se njerëz të paidentifikuar kërkojnë të shfrytëzojnë asetet e Tiranës për të ndërtuar mbi to me para të pastra apo të pista, djemtë në fushë dominuan dhe treguan se janë ende me mendjen te futbolli i luajtur por ajo që “stonon” është gjendja pas kuintave. Vendimi për sekuestrimin e 66% të aksioneve ka ardhur nga një kompani përmbarimore që funskionon në bazë të rregullave të këtij shteti edhe pse presidenti Halili me të tijën mund të ketë të gjithë të drejtën e Zotit. Në këtë situatë, ai nuk duhet të akuzojë por të sqarojë hapat e tij të ardhshëm sepse momentalisht ai nuk është më president i klubit ndërsa skuadra pa mbështetjen e strukturave drejtuese mund të shkërrmoqet sa hap e mbyll sytë. Tirana sot ka nevojë për qartësi dhe vendimet e duhura nga njerëzit që kanë marrë përsipër ta menaxhojnë e përmbaruseit nuk munden kurresesi të kontribuojnë për ta shtyrë të kualifikohet fillimisht në finalen e katërshe.
Nga Pirro Bardhyli