Lamturmirë ditët e “lumtura’ apo ato të mbushura me hipokrizi dhe frikë në tokën e Superligës. Krerët e FSHF-së, kanë 100 asrye të frikësohen se edhe futbolli po përgatit çadrën e tij për të rrëzuar pushtetin e manipuluar në lojën e zyrave. Nuk paska qënë e thënë që pas humbjes në Europë të një posti në UEFA, krerët e FSHF-së të qetësonin shpirtin në shtëpinë e tyre, ku prej vitesh anëtarët e familjes së futbollit pranonin, në një qetësi të shtirur kulaçin dhe kërbaçin.Humbëm Europën dhe s’dinim si ta qanim, ngaqë u kapëm të papërgatitur, por humbja e fytyrës në garën e kampionatit, s’mund të thuhet se erdhi papritur. Prej kohësh, Partizani i Presidentit Demi, po luan një lojë misionare, tejet rebele,por me vlera historike për lirinë dhe barazinë e klubeve në një mbijetesë të vështirë me topin, sendin e bekuar të marrë peng nga despotizmi i presidentit. Fjalët e Partizanit skuqin, nëse shefat kanë akoma pak faqe: “ Ne duam të fitojmë kampionatin, duke luftuar në cdo ndeshje në fushë, – thuhet në deklaratë – qoftë edhe të vetëm kundër të gjithëve, por në një garë të ndershme , jo me allishverishe e me llogje të turpshme pazari, me përulje deri në neveri ndaj Institucionit që në fund të fundit paguhet nga ne, Familja e Futbollit”.
Kurrë nuk kishte ndodhur më parë, në kohën e lulëzimit të “diktaturës së topit” , tamam-tamam në periudhën e gënjeshtërt të lojës demokratike, të rebelohej frikshëm ndaj atyre që kanë fortifikuar sistemin, ku fituesi del më shumë nga sirtarët “magjikë”, sesa nga zemra e lojës në fushë. Një mëkat i hershëm, që ka dhënë kontributin e vet në vrasjen e besimit për lojën e ndershme dhe në arratisjen e tifozerisë nga stadiumit, me hir dhe me pahir. Me hir, kur populli i mbijetuar në stadium, ushqehet prej vitesh me pjatën që përgatitet në kuzhinën false, dhe me pahir, kur, shpeshherë, janë dënuar masivisht për t’u larguar nga stadiumet, ku kishin lindur vetë ata, dhe jo dënuesit e tyre. Nëse do të ishte vetëm Partizani ekipi që ka shpërthyer kundër zotave, të cilët topin dhe tortën e tij e duan për vete, me siguri do të flitej për djalin plangprishës. Është edhe një shpirt i bukur që lufton racizmin sportive: Luftëtari “i vogël” , ekipi që zbukuroi kampionatin duke pranuar rolin e viktimës me zellin e debutuesit. Ekipi që po del në kundërsulmin e madh, pa aktorët e fushës Bregun dhe Abazin , por me presidentin Tavo, i cili nuk e duroi dot më eksperimentin varfërues ku tjëtërkush i harxhon milionat, dhe një tjetër, i cili është presidenti i vetëm që nuk del me humbje në këtë grop të madhe,madje, vendos pa mëshirë fatet, duke përdhjerrë atë shprehjen më hileqare se “futbolli është binzes i të gjithëve”.
Sfidanti.al