Ansi Agolli ka vetëm një peng në karrierë, Championsin!

Nuk është aspak i ri, por duket se koha për të nuk ka ndërmend të bëjë përpara. Për “lart” bëjnë vetëm sukseset e Ansi Agollit, i cili provoi titullin e katërt radhazi kampion në Azerbajxhan me Karabakun. U duk se këtë herë nuk do t’ia dilte pasi Kabala ishte shumë e fortë, por duket përvoja bëri të vetën dhe titulli u fitua pas suksesit 3-0 në fushën e Interit të Bakusë. Çdo të bëjë Agolli, tani kur është 34 vjeç? Shumëkush mendoi se mund të kthehej tek Tirana, skuadra e tij e zemrës, por çfarë thotë vetë Ansi?

“Pas 7 vitesh te Karabaku nuk mund të mendohet kjo skuadër pa Agollin, – thotë ai, – synimi im është që të arrijmë të futemi në fazën e grupeve në Ligën e Kampionëve, gjëja e vetme që nuk kam realizuar në karrierë”. Agolli ka fituar 14 trofe në karrierën e tij të gjatë, 8 me Tiranën (tre tituj kampion) dhe 6 me Karabakun (4 tituj). Në 2014-2015 u shpall lojtari më i mirë i sezonit në ekipin e tij, ndërsa në kombëtare ka fituar shiritin e kapitenit pas largimit të Lorik Canës, ndërsa ka luajtur 69 ndeshje, duke shënuar 2 gola.

Sfidanti.al