Gjykata liron përkohësisht Dani Alves

Dani Alves lë për herë të parë burgun pas 14 muajve pas hekurave. U ndalua në fundin e muajit janar të vitit 2023 për akuzën e përdhunimit, por gjykata e ka lejuar ish-mbrojtësin brazilian të Barcelonës të shijojë lirinë e përkohshme edhe pse u dënua me 4 vjet heqje lirie pasi u cilësua fajtor nga shkalla e parë e gjyqësorit. Ai ka lënë si garanci rreth 1 milionë euro në pritje të gjykimit të formës së prerë. Gjykatësi pranoi kërkesën e avokatit duke sekuestruar njëkohësisht edhe pasaportën e brazilianit, i cili nuk do të ketë mundësinë të largohet nga Spanja deri në marrjen e vendimit nga apeli. Një urdhër tjetër është edhe masa e sigurisë ndaj viktimës, pasi Dani Alves duhet të qëndrojë minimalisht 1 km. larg vajzës që ka bërë denoncimin për ngjarjen që sipas saj është regjistruar në datën 30 dhjetor të vitit 2022 në një pub të Barcelonës. Prokuroria kishte kërkuar 12 vjet heqje lirie për lojtarin më të titulluar të historisë, por pasi i dha viktimës rreth 150 mijë euro si dëmshpërblim, dënimi u ul në mënyrë të ndjeshme.

sfidanti.al