Gjasula, Daku dhe Muja, tre mbiemra që kanë shumë të përbashkëta por më kryesorja është që sa herë ata përmenden, zhurma bëhet e madhe këto ditë “tensioni” duke ndarë opinionin më dysh. Sylvinho, a duhet t’i besojë skuadrës që e çoi në europian? Apo duhet të ndjekë rutinën e tij duke i besuar emrave që kanë më në formë dhe të tillë ka plot në skuadër ashtu siç ka edhe disa të tjerë që prej vitesh e kanë të abonuar vendin në ekipin kuqezi e rasti më konkret është Frederik Veseli, i cili aktualisht luan në nivelet më të ulëta të futbollit italian.
Mos ndoshta do të ishte më korrekte zgjedhja apo zgjedhjet e trajnerit brazilian nëse do të kishte ndjekur të njëjtin standart edhe për Armando Brojën, “djali plangprishës” kampion i faqeve të para por pak i aktivizuar nga Fulham, një skuadër aspak e kalibrit të Chelseat. Mund të thuhet e njëjta gjë edhe për Keido Baren? Mesfushori fierak sigurisht që ka një kontribut shumë të madh me fanellën kuqezi por për momentin është në një situatë “jo” e në rënie të lirë prej shumë kohësh.
Sylvinho guxon dhe kjo është e drejta e tij e madje ndoshta kështu duhet të bëjë për të bërë ndryshimin e marshit në prag të europianit ku cilësia rritet dhe ndeshjet janë shumë më të vështira, por në krahun tjetër është po kaq e vërtetë që ai nuk ka vepruar me të njëjtin metër matës për të gjithë dhe kjo është ndoshta ajo që i “vret” tre të “parjashtuarit” e mëdhenj të listës së miqësoreve të marsit.
Nga Pirro Bardhyli