Tuchel flet për duelin Bayern-Arsenal

Temat e diskutimit në konferencën e shtypit të mbajtur nga Tomas Tuhel nuk mungonin. Edhe pse të shtunën Bajerni udhëton drejt Darmshtadit për të sfiduar ekipin modest vendas shumë pak u fol për këtë duel. Takimi është mjaft domethënës për Manuel Nojerin pasi vetëm një ditë më parë u bë baba për herë të parë pasi bashkëshortja me tij Anika solli në jetë Lukën. “Jam informuar mbi shëndetin e nënës dhe djalit të vogël dhe ata janë shumë mirë. Për këtë motiv mendoj se Manuel ndihet dyfish më mirë dhe do të jetë në fushë edhe pse mori dy ditë leje”, tha Tuhel.

Takimi përballë Darmshtad nuk është si gjithë të tjerët për Nojerin pasi në fazën e parë ai bërballë ekipit në fjalë bëri edhe rikthimin e madh pas aksidentit që i ndodhi vjet teksa bënte ski ku theu edhe këmbën. “Të them të drejtën Nojer ka treguar se nuk është si gjithë të tjerët. Mendoj se nga dëmtimi që pësoi probabiliteti për tu rikthyer në nivele të larta është një në njëzet mijë, një në njëzet milionë. Unë kam patur mundësinë që të bisedoj me Nojerin dhe me mjekët e tij dhe me atë çfarë më kanë treguar për rrugëtimin që kanë bërë drejt normalitetit më kanë shokuar. Ajo çfarë ka bërë Manu është diçka unike dhe nuk mendoj se nuk vlerësohet sa duhet. Besimi i tij në vetvete është diçka që e kam zili. Dua ta them shkurt unë i përkas 19,999 ose 19,999,999 të tjerëve”, tha Tuhel.

Sa i përket shortit të Ligës së Kampioneve, Tuhel analizoi kështu situatën: “Mendoj se rrugëtimi ynë drejt finales është i vështirë. Them se në çerekfinale do të përballemi me njërën nga skuadrat më të mira të Anglisë. Arsenali po luan mjaft mirë për një kohë të gjatë. Arsenali është një ekip, i cili shënon shumë gola dhe që luan shumë i bashkuar, por edhe ne kemi armët tona”.

sfidanti.al