Prej kohësh një luftë aspak e ftohtë zhvillohet mes Partizanit dhe Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), por duket se në këtë gjendje që kanë ardhur punët, lufta nuk mund të quhet përveçse e nxehtë deri në përvëlim. Klubi kryeqytetas ka dalë me deklaratë zyrtare për mediat, duke e akuzuar Federatën për ndërhyrje të drejtpërdrejtë në rezultatin e saj.
“Partizani, duke parë me vëmendje dhe qetësi edhe një herë tjetër ndeshjen Vllaznia-Partizani, – shkruhet në deklaratë, – dhe rastet që vendosën rezultatin e saj, i bën thirrje Federatës Shqiptare të Futbollit që të bëjë detyrën që i cakton statute: Organizimin e ndershëm të garës së Kategorisë Superiore, dhe jo të ndikojë drejtpërsëdrejti në rezultatin e saj”.
“Ne duam të fitojmë titullin dhe çdo ndeshje duke luftuar në fushë, – vazhdon deklarata, – qoftë edhe vetëm kundër të gjithëve, por në një garë të ndershme, jo me allishverishe të turpshme, me lloqe pazari apo përulje deri në neveri ndaj atij institucioni që në fund të fundit paguhet nga ne, Familja e Futbollit”.
Partizani akuzon për dy penallti të padhëna në Shkodër, për mosdhënie kartoni të kuq për Vllazninë, për largim nga gjykimi të arbitrave që japin penallti për të, ndërsa thekson se këto raste janë të përsëritura. Dihet se ka një antipati mes presidentit të FSHF-së, Duka, dhe trajnerit të Partizanit, Starova, por besohet edhe ndaj presidentit të të kuqve, Demi.
Sfidanti.al