Sylvinho në “vështirësi”, edhe Uzuni shënon dy gola në La Liga

Do ta ketë shumë të vështirë trajneri Sylvinho të sigurojë vend për të gjithë sulmuesit në Kombëtaren e Shqipërisë për miqësoret e marsit dhe Euro 2024. Rey Manaj shënoi sërish sot por kundërpërgjigjen e dha në distancë edhe Myrto Uzuni i cili realizoi dy herë në një sfidë që skuadra e  e tij e humbi. Granada u mposht në shtëpi nga Real Sociedad me rezultatin 3-2. Sulmuesi kuqezi shënoi golin e parë në minutën e 21-të nga pika e bardhë e penalltisë, ndërsa Sociedad reagoi me anë të Sadiq në minutën e 33-të duke barazuar shifrat. Megjithatë, në fundin e pjesës së parë, në skenë është ngjitur edhe njëherë Uzuni, që ka kaluar të tijtë në avantazh duke kompletuar kështu dopietën personale. Sociedad në 10 minutat e fundit ka përmbysur gjithçka duke shënuar me Le Normand 80’ dhe Silva 85’, duke siguruar fitoren 3-2. Granada mbetet në vendin e parafundit me 14 pikë, ndërsa Sociedad në vendin e 6-të me 43 pikë.

sfidanti.al