Kur duhen edhe 7 ndeshje deri në mbyllje të Superligës, Tirana po ecën me ritmin e një skuadre që bie nga kategoria. Prej 12 ndeshjesh nuk arrin të fitojë, dhe faktorin fushë nuk e shfrytëzoi dot as ndaj Laçit, tashmë një rivali direkt për mbijetesë. Nuk i bëri punë, përsëri, bardhebluve prania e trajnerit kampion Mirel Josa në stol, as emri i madh dhe fanela e rëndë mbi shpinë.
U mbyll 0-0 përballja e javës së 29-të në “Selman Stërmasi”, ku Tiranës vërtet iu anulua një gol, por po ashtu një rrjetë iu anulua edhe kurbinasve, të cilët goditën edhe traun e portës së vendasve. Ishte Mensah që goditi shtyllën e portës ë Ilion Likës, ndërsa Sergio Zhunior dhe Qaqi iu afruan golit për laçianët. Në pjesën e parë, ishin tiranasit që patën dy mundësi. Tashmë renditja në fundin e tabelës është e tillë: Tirana, 32 pikë, Teuta 32, Laçi 29, Flamurtari 25 (-1), Korabi 12.
Sfidanti.al