Çfarë të ndodh Bejl? Plot 16 dëmtime që kur erdhe në Madrid

Reali mund të jetë në pozicion shumë të mirë në Spanjë dhe në Europë, por edhe ai ka problemet e veta. Ndodh disa herë që Ronaldo nuk është më Ronaldo, apo që Benzema bie në “gjumë letargjik”, apo që Hames Rodrigez është hija e talentit të madh që u ble për 75 milionë euro. Një nga shqetësimet më të mëdha, gjithsesi, është një tjetër, ai që ka lidhje me Garet Bejlin. Vështirë të gjendet ndonjë futbollist tjetër këto vite që të pësojë kaq shumë dëmtime sa ai.

Mediat spanjolle kanë bërë numërimin dhe u ka dalë se uellsiani është dëmtuar plot 16 herë që kur u bë blerja më e shtrenjtë në histori (në atë kohë) me 101 milionë euro në verën e vitit 2013. Kjo do të thotë se dëmtimet e kanë penguar të luajë në një pjesë të madhe të ndeshjeve, ai ka humbur 41 për qind të minutave të ndeshjeve që janë luajtur që nga 2013 deri tani. Dëmtimi më i rëndë ishte nëntorin e kaluar ndaj Sportingut në Lisbonë kur mbeti 88 ditë jashtë, ndërsa ky fat i keq ka sjellë edhe nervozizëm, karton të kuq dhe dy ndeshje pezullim ndaj Las Palmasit. Goditja që mori në Mynih bën që Bejl të jetë në dyshim për ndeshjen e kthimit ndaj Bajernit në Champions.

Sfidanti.al