Pejiç mposht Teutën, a ishte e vërtetë përralla e Kukësit?

Që Kukësi mund të fitojë në Durrës ndaj Teutës, kjo as nuk mund të dyshohet. Edhe që Pero Pejiç të shënojë dy gola në një ndeshje, kjo sërisht është brenda normalitetit. Gjithsesi, është po ashtu krejt normale që çdo ndeshje e Superligës shqiptare që vlen për diçka, të kalojë nëpër “lupën” e dyshimit. Gjithsesi, përjetj “konspiracioneve”, fakti që shihet qartë është që Kukësi reagoi pas gabimit që bëri me Vllazninë në “Zeqir Ymeri”, duke triumfuar 2-0 jashtë.

Kjo ishte një përgjigje për Skënderbeun dhe për Partizanin. Për të kuqtë sepse i parakaluan javën që kaloi, ndërsa për korçarët sepse ata fituan tri orë më herët, 3-0 ndaj Korabit. Nuk ishte e lehtë për skuadrën e trajnerit Gjoka e cila mbylli në barazim 0-0 pjesën e parë. Në minutën e 54-ët, Dvornekoviç fitoi penallti dhe Pejiç nuk fali, ndërsa në të 79-ën, ishte sërish sulmuesi kroat që mposhti portierin Kastrati i shërbyer siç duhet nga Lena.

“Mos na kërkoni të jemi të qetë, është garë e fortë afër fundit të kampionatit, – tha trajneri Gjoka, – do të jemi të qetë vetëm në fund të fazës së katërt nëse arrijmë objektivin madhor”. Gjoka, po ashtu, shprehu bindjen se “Vllaznia do të luajë me dinjitet ndaj Partizanit. Pas ndeshjeve të luajtura sot, Kukësi u rikthye në vend të parë të Superligës me 59 pikë (dhe një ndeshje më shumë), ndaj 58 të Partizanit  dhe 56 të Skënderbeut (gjithashtu me një ndeshje më shumë).

Sfidanti.al