Dikur ishte një nga “ata”, ishte një nga të adhuruarit kur sillte në “San Siro” (me paratë e Berluskonit) yje të mëdhenj si Van Basten, Gulit apo Saviçeviç, deri tek mjeshtrat e fundit Shevçenko, Pirlo, Tiago Silva apo Ibrahimoviç. Sot, raporti ka kaluar në ekstremin tjetër.
Adriano Galiani mund të quhet një nga “të urryerit” e tifozëve të Milanit, të paktën e atyre fanatikëve që njihen me emrin “ultras”. Në derbin ndaj Interit, ata shpalosën një parullë në Tribunën e Jugut të “San Siros” ku shkruhej: Fluturimi i kondorit (Berluskonit) më në fund përfundoi me të vërtetë, edhe ti je një parametër zero”.
Ironia ishte e qartë pasi vitet e fundit, të paktën që nga 2011-ta, Galiani ndoqi politikën e blerjeve pa shpenzime, apo siç njihen në Itali “me parametër zero”. Pavarësisht mjeshtërisë dhe përvojës së tij, me këtë politikë ishte e pamundur të ndërtohej një Milan i madh, ndaj edhe tifozët prej vitesh janë të pakënaqur.
Sfidanti.al