Dy porosi të përjetshme ne futboll : mos u zini dhe luani pa hile!

Kur ishim fëmijë dhe do të luanim me top dy porosi ishin të sigurta para ndeshjes. Një nga prindërit dhe një nga vetë protagonistët e lojës.  Prindërit  kishin një merak fiks: mos u zini! Kurse vetë fëmijët që do të luanin, paralajmëronin  njëri-tjetrin me zë të lartë: do luajmë, por pa hile! Kështu do të kenë thënë edhe gjyshërit kur luanin,çdo lloj sporti, madje edhe domino,  sepse hileja është e vjetër sa njeriu…

Po në ditët e sotme, në lojën me top  që luhet nga “fëmijët e rritur të Superligës”, si janë raportet me porositë e moçme: mos u zini,( me gjuhën e sotme pa dhunë) dhe të luajmë pa hile? Përgjigja është për një studim special  : stadiumet janë boshatisur nga njerëzit,  sepse fajin e kanë tamam ..zënkat ( dhuna) dhe hiletë e mëdha që bëjmë!  E quajmë  Superligë, që të paktën të ketë emrin e bukur,por  ajo që ndodh në të vërtetë është një ..Super-marrëveshje!

..Ja një fakt i freskët, për njërën nga trashëgimitë tona, për zënkat ( dhunën) ! Është goditur në kokë me shishe gjatë ndeshjes Erzeni-Vllaznia ne Rogozhinë,  drejtori i Vllaznisë Tofik Osmani. Ka rënë në tokë dhe ..bota i vinte vërdallë…S’po themi që të kapet dhunuesi, sepse ai na duhet për dhunën e ardhshme, po si ka mundësi që vetë Osmani kur shfaqet ne ekran tek “Procesi Sportiv” i këshillon debatuesit që të mos merren me shishen që i goditi kokën, por me futbollin e luajtur!!

Madje dikush e teproi dhe tha: po sikur kjo shishe të kishte rënë në kokën e ndonjë zyrtari të FSHF-së, ç‘do të ndodhte? Ju kujtohet , vite me pare, kur u dhunua zyrtari Sul Mema në Burrel!  Nuk kishte nga të shkonte dhunuesi sepse u turrën gjithë “ Xhejms Bondët” e FSHF-së për të gjetur dhunuesin e… dhunuesve. Pse kështu? Ka klasifikim dhe për kokat që goditen…

Sfidanti.al