Dinamo –Tirana, në versionin e  filmave të  Alfred Hiçkokut

Ndeshja e pabesisë së madhe! Kështu mund të quhet derbi në “emigrim” Dinamo-Tirana që u luajt në “Niko Dovana” në Durrës. Edhe me stadium të zbrazur, edhe e mbarsur me dyzinë golash! Edhe e fillon Tirana me dominim dhe me kërcënime në portën kundërshtare,  golin e shënon Dinamo me stilin nëndetese. Dhe nuk mjaftoi kjo “tradhëti logjike”, na  vjen serbes- serbes dhe goli i dytë!  Ata që kujtonin ndeshjen e fundit të vitit 2023, besonin se Tirana sikur po lante gjynahet për fitoren “apokaliptike” me 5 gola ndaj Egnatias , që aq gola si kishte pësuar 5 ndeshje…

Tamam si në filmat e regjizorit tw madh Alfred Hiçkok, ishte kjo ndeshje,  ku nuk e gjeje dot filllin. Edhe “filmi i derbit”  të gënjente bukur , të shpallej Dinamo si fituese dhe Tirana si humbëse. Por kjo ishte gracka ! Për 3 minuta u bë gjëma :  Tirana realizoi 2 gola , ndërsa Dinamo nuk ngopej duke parë me habi veten se ç‘po ndodhte.

Pale kur na vjen goli i 3-të për Tiranën,  kokë e këmbë e “besuam” se Superliga është e aftë të boshatisë stadiumet, po mbetet  një minierë “ari” për gola dhe për përmbysje totale : brenda ndeshjeve dhe në zemër  te klasifikimit!

Sfidanti.al