Milani vendimtar për fatin e Mourinhos

Ndeshja ndaj Milanit është vendimtare për të ardhmen e Jose Mourinhos. Roma shkon në “San Siro” me moralin e dobët pas humbjes 1-0 në derbin ndaj Lazios, që solli eliminimin nga Kupa e Italisë. Shtypi italian shkruan se pronarët e verdhekuqve janë lodhur nga “Special One”. Ankesa sistematike ndaj arbitrave, protesta dhe ndëshkime të shpeshta me kartonë të kuq, dhe justifikime pas çdo rezultati negativ. Presidenca e Romës është zemëruar me teknikun nga Setubali, sidomos pas humbjes dhe lojës kaotike që skuadra zhvilloi përballë rivalëve të përjetshëm të kryeqytetit. Dhe një humbje kundër Milanit të dielën, mund të sjellë shkarkimin e Mourinhos. Roma nuk do të ketë të gatshëm Dybala në këtë sfidë, me argjentinasin që u ndal për të disatën herë për shkak të problemeve fizike.

sfidanti.al