Victor Osimhen u bë lojtari më i paguar në Serie A kur nënshkroi rinovimin e kontratës me Napolin më 23 dhjetor. Megjithatë, në top-10 më të paguarit e Serisë spikatin futbollistë të Interitd he Juventusit.
Bastoni (Inter) – 5.5 milionë euro
Mbrojtësi i Interit është i fundit në “top-10” me një pagë neto prej 5.5 milionë eurosh në sezon, plus bonuse. Ai ka kontratë me zikaltrit deri në vitin 2028.
Thuram (Inter) – 6 milionë euro
I mbërritur si transferim i lirë në verë, pas përvojës së tij te Borussia Monchengladbach, Thuram hyri në dhjetëshen e parë me një pagë 6 milionë euro, plus bonuse.
Calhanoglu (Inter) – 6 milionë euro
Calhanoglu, ndër më të mirët në këtë pjesë të parë të sezonit, merr 6 milionë euro, plus bonuse, me rinovimin e firmosur në verë. Ai është i lidhur me zikaltrit për katër vitet e ardhshme.
Alex Sandro (Juve) – 6 milionë euro
Anësori i Juves është një nga lojtarët më të shtrenjtë në listën e pagave të Juventusit. Në fakt, braziliani fiton 6 milionë euro në sezon.
Lautaro Martinez (Inter) – 6 milionë euro
Golashënuesi më i mirë i Serisë A deri në këtë pikë të sezonit, Lautari ka një pagë prej 6 milionë eurosh në vit, por Interi është në negociata për t’i siguruar një kontratë të re. Marrëveshja e radhës duhet ta çojë pagën në 7 milionë euro në sezon.
Szczesny (Juventus) – 6.5 milionë euro
Në bazë të rinovimit automatik deri në vitin 2025, portier polak fiton 6.5 milionë euro në vit nga kontrata që ka me Juventusin.
Rabiot (Juventus) – 7 milionë euro
Juventusi dhe Rabiot ranë dakord në verë që të vazhdonin së bashku edhe një sezon tjetër. Kushtet e marrëveshjes përfshijnë një pagë bazë prej 7 milionë eurosh neto, me bonuse që mund të arrijnë lehtësisht 8 milionë.
Lukaku (Roma) – 7 milionë euro
I huazuar nga Chelsea, Romelu Lukaku merr 7 milionë euro neto nga Roma. Marrëveshja fillestare parashikonte që ai të fitonte 7.5 milionë euro, por belgu pranoi ta ulte me gjysmë milioni pagën për të plotësuar nevojat e klubit.
Vlahovic (Juventus) – 7 milionë euro
Qendërsulmuesi i Juventusit ka një pagë prej 7 milionë euro neto, por klubi është gati ta rinovojë kontratën e tij, duke e rritur në 7.5 milionë, për të arritur në 12 milionë euro në sezonin e fundit, potencialisht më 2027.
Osimhen (Napoli) – 10 milionë euro
Osimhen sapo ka nënshkruar rinovimin të kontratës me Napolin. Ai shkon nga 4.5 milionë euro në 10 milionë, plus bonuse, me efekt prapaveprues. Ndaj paga e tij për këtë sezon do të konsiderohet 10 milionë euro, sipas marrëveshjes së re. Ai është i lidhur me të kaltrit deri në vitin 2026, me një klauzolë lirimi midis 120 dhe 130 milionë eurove, e vlefshme vetëm për jashtë Italisë.
sfidanti.al