Milani humbet edhe Tomorin

Duket se Milani është “mallkuar” këtë fillim-sezoni, pasi janë të shumtë lojtarët e dëmtuar në skuadrën kuqezi në këto katër muajt e fundit. 30 është numri total i dëmtimeve, 22 prej të cilëve prej problemeve muskulore, që u kanë ndodhur 21 lojtarëve të ndryshëm. Edhe mbrëmjen e djeshme në sfidën ndaj Salernitanës, tekniku i kuqezinjve Stefano Pioli u detyrua që të bëjë 2 zëvendësime. Kjaer dhe Tomori u detyruan që të largohen parakohe nga fusha e blertë. Nëse për danezin situata nuk duket shumë shqetësuese, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për mbrojtësin anglez që u largua nga fusha pas një problemi muskular në kofshën e majtë.

Aktualisht nuk bëhet me dije koha e rikuperimit, pasi lojtari duhet të bëjë disa kontrolle të specializuara, por është e sigurt që Tomori do të mungojë në ndeshjen e radhës kundër Sassuolos që do të luhet në 30 dhjetor. Rritet numri i lojtarëve në infermieri dhe anglezi i bashkohet të dëmtuarve: Caldara, Kalulu, Thiaw, Musah, Pobega, Okafor, Sportiello dhe Pellegrino. Pioli duhet të improvizojë repartin e mbrojtjes në sfidën e radhës.

sfidanti.al