Dhunë në Maracana

Argjentina ka arritur që të marrë një fitore të madhe 1-0 ndaj Brazilit në mitikun Maracana, në ndeshjen e vlefshme për kualifikueset e Botërorit të vitit 2026. Kjo ishte një disfatë historike për pesë herë Kampionët e Botës duke qenë se për herë të parë u mposhtën në shtëpi në një ndeshje kualifikuese për Botëror. Sfida nisi me 27 minuta vonesë për shkak të përleshjeve mes tifozëve në tribuna, teksa u desh ndërhyrja e policisë. Portieri Emiliano Martinez shkoi në mbrojtje të bashkëkombësve të tij, ndërkohë që Messi mori më pas ekipin për ta dërguar sërish në dhomat e zhveshjes derisa të qetësohej situata. Sa i përket ndeshjes, ajo u vendos në pjesën e dytë nga një gol me kokë i mbrojtësit Nicolas Otamendi në minutën e 63-të. Nëntë minuta para fundit, Brazili mbeti me 10 lojtarë pasi Joelington u përjashtua me karton të kuq pasi nuk i mbajti nervat ndaj De Paul. Argjentina kryeson renditjen e grupit në Amerikën e Jugut me 15 pikë ndërsa Brazili shkon në vendin e gjashtë me vetëm shtatë pikë pas gjashtë ndeshjesh të luajtura.

sfidanti.al