Në të ftohtin e nëntorit që ka filluar të ndihet, Shqipëria e futbollit nuk ndezi dhe kjo nuk është më një rastësi. 90 minutëshi i Moldavisë dha sinjalet e para të problemeve që mund të ketë ende grupi i Sylvinho-s, ndërsa me Ishujt Faroe, festa për pak sa nuk përfundoi në një gjysmë-tragjedi pasi modestët nga zemra e Atlantikut nxorrën në pah disa pika të dobëta të skuadrës kuqezi. Mesfusha pa treshen titullare nuk funskionon ndërsa Bare dhe Uzuni zhgënjyen në ndeshjen e tyre si titullarë.
22 mijë të pranishmit në stadium dhe miliona në mbarë botën prisnin dhuratën e fundit nga skuadra e zemrës që mesa duket kishte ngelur në dhomën e zveshjes së Kishinjevit nën avujt e shampanjës së festës me krerët e FSHF-së që në atë rast morën stafetën e protagonizmit që kulmoi me atë poster ku Duka zuri vendin e Sylvinho-s ndërsa braziliani magjik i krahut të majtë në fushë dhe i stolit kuqezi si drejtues, nuk arriti të ngjitej në piedestal edhe pse me grupin që kishte në dispozicion regjistroi një arritje të pabesueshme.
Lë një shije të hidhur ky barazim pa gola me Faroen ndërsa në asnjë rast festa e organizuar nga FSHF nuk i ngrohu zemrat e publikut sepse kur gëzimi nuk vjen natyrshëm dhe prapa kuintave çdo gjë është e sajuar keq, atëherë mbështetësit fanatikë të Kombëtares e kuptojnë se diçka nuk shkon dhe kjo Kombëtare nuk mund të merret peng nga asnjë institucion apo person që në këtë moment ka një emër dhe mbiemër e ai është drejtuesi i FSHF-së. Menaxhimi i biletave, përfshirë edhe sektorin e tribunës qëndrore që nuk del asnjëherë në shitje dhe rezervohet për klientët elitarë të FSHF-së që po tenton ta largojë futbollin nga njerëzit, ndërsa pozat plot shkëlqim përkrah trajnerit dhe lojtarëve tashmë janë bërë një rutinë gati gati e pështirë. Kjo Kombëtare në Gjermani duhet të jetë skuadra e shqiptarëve sepse vetëm tifozët e vërtetë dinë ta faline të vuajnë me të edhe kur zhgënjen si në mbrëmjen e 20 nëntorit!
Nga Pirro Bardhyli