Në një kohë që dalëngadalë Kombëtarja do të ngjitet në skenë për të zbritur në planin e dytë çështjen “Dwamena”, ajo që nuk ndryshon është panorama e përgjithshme e futbollit shqiptar. Përveç faktit që sulmuesi ganez është viktimë e një sistemi që nuk kujdeset për shëndetin e njerëzve që punojnë e jetojnë në Shqipëri, risia këtë herë është se një njeri nuk e vrau aksidenti, hasmi apo banda rivale por loja që e kemi zgjedhur për të na zbehur streset.
Periferike si ngjarje por jo për shkak të gjeografisë ishte edhe ajo e Fierit ku një gjyqtar u rrëzua në fushë, jo se e la zemra, por sepse dikujt në shkallë i kishin hequr “defribilatorin” në sektorin qëndror të zonës nga buron mendimi dhe logjika e qartë. Një stol në kokën e arbitrit të katërt (që për më tepër nuk ka përgjegjësi të drejtëpëdrejtë për vendimet e kryesorit), mund të kishte përfunduar në tragjedi por për fat të mirë ngjarja mbeti e izoluar edhe për shkak të fatëkeqësisë së Rrogozhinës. Nëse në rastin “Dwamena” nuk ka ende një përgjegjës të qartë sepse organet hetuese po bëjnë punën e tyre, ndryshon puna për rastin e Fierit ku tifozë me emër dhe mbiemër e mbështetës të një skuadre me ngjyra të qarta, rikthyen në kujtesë ngjarjet barbare të viteve 97 apo 98. Po këtë herë si do të veprojë Disiplina? A do të reagojë njëlloj sikur goditja ndaj atij arbitri të ishte fatale? Apo duhet të konsumohet tragjedia që më pas të kalojmë tek masat ekstreme?
Nga Pirro Bardhyli