Shenjat nuk kishin qenë të mira gjatë gjithë karrierës së tij, por Rafael Duamena vendosi të marshonte përpara, drejt ëndrrës së tij si futbollist profesionist, pa u shqetësuar për shëndetin e tij. Dhe, pas ngjarjes tragjike në Rrogozhinë, në rrjete sociale ka dalë edhe një video, kur mjeku i Kombëtares së Ganës, Dr. Prins Pembo, ka bërë një reagim gjatë një interviste në vitin 2021 për median lokale, “Joy Sports”, duke theksuar se “mjekët e Brajtonit në Angli, Saragozës në Spanjë dhe Lieferingut në Austri e paralajmëruan që të linte futbollin”. Mjeku ganez ka qenë mjaft i qartë në paralajmërimin e tij për futbollistin që sapo kishte kapërcyer një tjetër incident shqetësues me zemrën.
“Personalisht do t’i thosha të merrte pak kohë pushim, të paktën një apo dy vite kohë, që të zbulonim në thellësi se për çfarë problemi bëhet fjalë, dhe, unë të do të isha i prirur t’i thoja, le të bëhemi gati për t’i dhënë fund me bukuri kësaj përvoje. Kur ndodhin të tilla ngjarje, unë jam i prirur ta përgatis pacientin tim për një vendim të guximshëm, drejt një mbylljeje të pastër të kapitullit të futbollit të luajtur, dhe kalimit në një tjetër rrafsh të futbollit, aty ku mund ta shfrytëzojë me dobi ekspertizën e përftuar në sport. Çdo udhëtim ka një nisje dhe një fund dhe, kur vjen fjala për shëndetin, duhen marrë vendime të guximshme”, tha mjeku. Një vendim i guximshëm që sidoqoftë nuk erdhi nga ana e lojtarit, që pak më shumë se dy vitesh më vonë, humbi jetën në fushën e blertë në Shqipëri.
sfidanti.al