Dënimi i Tiranës, Skënderbeut dhe Dinamos me nga tre sesione merkatoje të bllokuara për shkak të detyrimeve të pashlyera ndaj lojtarëve të cilët kërkojnë të drejtën sipas kontratave të nënshkruara, e kthen futbolin shqiptar shumë pas në kohë. Edhe pse sot shumë “mëkate” të futbollit të kalbur të Superiores e kategorive inferiore po i mbulon arritja e Kombëtares, FSHF nuk arrin ta mbulojë me jorganin e arnuar gjithë shëmtinë që ofron në prapaskenë futbolli në vend. Nën zë të gjithë e pranojnë që pjesa më e madhe e klubeve veprojne me bordero të dyfishta e madje shpesh herë edhe pa bordero, duke i nxjerrë lojtarët nga dera e pasme ndërsa shumë të tjerë largohen të nëpërkëmbur e pa asnjë qindarkë. Presidentët arrogantë të mbështetur në jo pak raste edhe nga FSHF-ja, nuk i trajtojnë lojtarët si kontribues apo njerëz të familjes por thjesht si shfrytëzues të buxhetit të tyre personal. Rastet e Tiranës janë me dhjetra tashmë, ndërsa Skënderbeu dhe Dinamo që në të shkuarën janë lakuar shumë rrallë, njollosin edhe më shumë talonë që në pjesën e pasme ka gjurmët e lëna edhe nga shumë klube të tjera që tashmë e kanë bërë rrugë duke u mohuar nënpunësve të tyre edhe të drejtën minimale për të kërkuar shifrat për të cilat kanë rënë dakort që të gjitha palët, ta pa shtyra nga asnjë forcë e jashtme.
Kokat e mëdha që drejtojnë lojën me siguri që janë në dijeni e madje në raste si ai i Tiranës që përfundoi edhe në gjykatë për një borxh të vjetër ndaj ish-presidentit të ndjerë Metush Seferi, skema doli në shesh edhe më e qartë. Viktimat e klubeve janë shtuar dhe ky është një fenomen që askush nuk e trumbeton me të madhe por për fatin e keq të FSHF-së si në rastin e fundit, Disiplina është e detyruar të marrë vendime të tilla ekstreme duke nxjerrë në shesh sërish një skandal që i tillë ka qenë përherë por gjithmonë i fshehur pas perdes se hekurt.
Nga Pirro Bardhyli