Ballkani shembull për Shqipërinë

Barazim me lojë të bukur dhe një rezultat që vlen shumë e mund të jetë jetik për kualifikimin në fazën tjetër të Conference League. Ballkani i Ilir Dajës nuk arriti të siguronte tre pikë në Astana ku bëri atë që nuk arriti ta bënte për asnjë moment Partizani shumë muaj më parë. Asnjë gol në Kazakistan ku skuadra e drejtuar nga Ilir Daja tregoi karakter dhe reflektoi pjekurinë e vertëtë të një skuadre të formatit europian. Sot në Shqipëri të gjithë janë të dëshiruar dhe të dëshpëruar për t’u prezantuar me një skuadër të tillë në Europë por duket se do të mbetet vetëm një dëshirë në letër. Klube që nuk paguajnë lojtarët, të tjerë që luajnë në fusha të ndryshme në kërkim të shtëpisë dhe të tjerë që shkarkojnë trajnerët pa asnjë arsye të fortë. Barazmi i Ballkanit në Europë na tregon se sa vite dritë larg mentalitetit europian vazhdojmë të jemi.

Në duelin e zhvilluar në stadiumin “Astana Arena”, skuadra e Ballkanit ka sulmuar vazhdimisht dhe ka kërkuar golin, por ishte e pafat. Që prej fillimit të ndeshjes, kampionia e Kosovës tregoi se drejt Kazakistanit nuk kishte udhëtuar për t’u mbrojtur dhe rrezikoi e para në minutën e katërt, kur Nazmi Gripshi gjuajti mbi portë. Edhe pas rastit të Gripshit, që ishte më i miri në pjesën e parë, Ballkani ka provuar sërish ta zhbllokojë rezultatin dhe, në minutën e 32-të, Almir Kryeziu pati një rast të volitshëm, por u ndal nga portieri vendas.

Astana provoi kryesisht nëpërmjet kundërsulmeve, por pa rezultat. Ballkani ishte edhe më kërkues edhe në pjesën e dytë, sidomos në minutat e fundit të takimit kur shpërdoroi tri raste të arta. Fillimisht, në minutën e 73-të, Gripshi goditi nga një largësi prej më shumë se 20 metrash, por topi përfundoi jashtë, pranë shtyllës pingule, ndërsa i njëjti futbollist pati rast tjetër në minutën e 82-të, pas një kundërsulmi të shpejtë, por portieri vendas i mohoi golin. Me këtë barazim, Ballkani mbetet ende në lojë për të kaluar grupin, kur kanë mbetur edhe dy ndeshje për t’u zhvilluar deri në fund të kësaj faze, teksa ka 4 pikë në po aq ndeshje, po aq sa ka edhe Astana. Ndeshjen e radhës, Ballkani e luan më 30 nëntor, kur Viktorian e Plzenit në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

sfidanti.al